Barça trondit PSG-n, bën hapin e madh për në gjysmëfinalen e Chammpions-it
Edhe pse s’ishte favorit, Barcelona e ka nisur me fitore çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, duke mposhtur në udhëtim Paris Saint-Germain.
Katalunasit triumfuan me rikthim nga 2:1 në 2:3, sfidë që ishte dramatike nga minuta e parë.
PSG e nisi më mirë duke mbajtur posedimin e krijuar disa aksione që s’arritën t’i finalizonin.
Megjithatë, ishte Barcelona që kaloi në epërsi. Harkimi i Lamine Yamal u devijua nga Donnarumma dhe përfundoi në këmbët e Raphinhas, i cili e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur (37’).
Mirëpo, PSG tregoi fytyrë tjetër në minutat e parë të pjesës së dytë. Fillimisht Ousmane Dembele realizoi një eurogol për ta barazuar rezultatin (48’).
Ndërsa, tre minuta më vonë pas një aksioni të bukur Vitinha e kaloi PSG-në në epërsi pas asistimit të Fabian Ruizit (51’).
Sidoqoftë, Barcelona s’u dorëzua me zëvendësimet e Xavit që dolën të jenë kyçi për këtë fitore. Fillimisht Pedri asistoi për mrekulli te Raphinha, i cili me një vollej fantastike e barazoi rezultatin (62’).
Ndërsa, heroi ishte zëvendësuesi tjetër Andreas Christensen që shënoi me kokë pas harkimit të Gundoganit (77’).
Mirëpo, gjithçka mbetet e hapur për përballjen kthyese që zhvillohet pas gjashtë ditëve në Spanjë.