Barazimi që nuk kënaqi askënd
Në Dortmund, Borussia e Milan ndërtuan një barazim pa gola që jo vetëm nuk kënaq askënd, por komplikon edhe pozitat e skuadrave në një grup të hekurt ku janë edhe kryesuesit e Njukasëll e PSG.
Natyrisht ka pikë e ndeshje përpara, por Stefano Pioli përtypet hidhur pas 0-0 me Borusia Dortmund, i dyti radhazi në Champions League pas atij me Njukasëll: “Na mungoi efikasiteti e në pjesën e parë edhe pastërtia teknike. Rastet në pjesën e dytë ishin të rëndësishme e që nuk arritëm përsëri të shënonim është mëkat.
Në Europë ritmi rritet e ne duhet të dimë të qendrojmë në atë nivel aty. Jemi tepër të përqendruar se nuk mund të gabojmë asgjë. Grupi ynë është ai më kualitetin më të lartë. Përplasja e dyfishtë me PSG do të jetë vendimtare”.
Në fakt, të dy skuadrat kanë keqardhjet e tyre me Dortmund që ishte më insistues në pjesën e parë, por tani e sheh veten në fund të grupit me vetëm një pikë. Tekniku Terziç sidoqoftë e konsideron grupin të hapur, me tre pikë që ndajnë vendin e parë nga të fundit.
“Ishte një lojë e mirë nga ne. Për sa i përket angazhimit, vullnetit për të luajtur, nuk mund të na bëhet asnjë qortim. Ajo që na mungon është: shndërrimi i rikuperimeve të shumta në depërtim në 3/4 e fushës.
“Ne nuk mendonim të ishim në vendin e fundit në grup me një pikë pas dy ndeshjeve. Kryesuesit e grupeve janë pikërisht tre pikë larg, kanë mbetur edhe katër ndeshje për të luajtur dhe në përputhje me rrethanat janë 12 pikë për t’u marrë”.
Tani Borussia duhet të luajë gjithcka për gjithcka në sfidën e dyfishtë me Njukasëll, që do të thotë shumë për shanset e kualifikimit të gjermanëve.