Bangladesh, 10 persona të vrarë në përleshjet mes policisë dhe studentëve
Policia u përlesh të enjten me studentë protestues që përpiqeshin të impononin një “mbyllje të plotë” të kryeqytetit të Bangladeshit, pas disa ditësh konfrontimesh të dhunshme gjatë demonstratave mbi një sistem të ndarjes së vendeve të punës në qeveri, me raportet e medieve që thanë se 10 njerëz vdiqën në të gjithë vendin.
Gazeta kryesore ‘Prohtom Alo’ me bazë në Dhaka, e cila ka një rrjet të fortë reporterësh në të gjithë vendin, njofton se dhjetë persona kanë vdekur nga dhuna mes policisë dhe studentëve, derisa gazet vendore në gjuhën angleze raporton për 7 persona të vdekur, ndërkohë që autoritetet vendore nuk konfirmojnë asnjërën nga shifrat e dhëna.
Ndryshe bëhet e ditur se studentët kanë demonstruar për javë të tëra kundër një sistemi kuotash për vendet e punës në qeveri, për të cilët thonë se favorizon aleatët e partisë në pushtet, por protestat janë përshkallëzuar që kur shpërtheu dhuna mes protestuesve, policisë dhe aktivistëve studentorë pro-qeveritar në kampusin e Universitetit të Dhakës të hënën. Gjashtë persona u vranë të martën, duke bërë që qeveria të kërkojë mbylljen e universiteteve në të gjithë vendin dhe policinë të bastisi selinë e partisë kryesore opozitare.
Por të mërkurën mbrëma, protestuesit njoftuan se do të zbatonin “një mbyllje të plotë” në të gjithë vendin të enjten në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të zyrtarëve të sigurisë ndaj demonstruesve të kampusit. Partia Nacionaliste e Bangladeshit e opozitës tha se do të bënte gjithçka që mundej për ta bërë mbylljen një sukses.
Televizioni lokal raportoi dhunë në qytete të tjera duke përfshirë Chattogram dhe Khulna, ndërsa protestuesit bllokuan gjithashtu disa autostrada kryesore. /rtk/