Ballkani zbarkon në Tiranë, mban stërvitjen e parë anti-Viktoria Plzen
Skuadra e Ballkanit ka mbërritur gjatë ditës së sotme në Tiranë, në prag të ndeshjes kundër Viktoria Plzen, e vlefshme për Ligën e Konferencës.
Ballkani dhe Viktoria Plzen do të përballen të enjten në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, për shkak se stadiumi në Prishtinë nuk plotësoi kushtet pasi gjendja e fushës u rëndua së fundmi, shkruan lajmi.
“Portokallezinjtë” kanë mbajtur edhe seancën e parë stërvitore në kryeqendrën shqiptare.
“Të dashur tifozë dhe gjithë ju dashamirë të Fc Ballkanit. Skuadra ka arritur sot në Tiranë, ku të enjten zhvillojmë duelin jashtëzakonisht të rëndësishëm evropian, ndaj Viktoria Plzen. Me këtë rast duam të falenderojmë klubin e futbollit Dinano City për mbështetjen që na kanë dhënë, ku edhe kemi zhvilluar një seancë stërvitore në kompleksin e tyre sportiv.
“Ndeshja e pestë dhe më e rëndësishmja për ne deri tani në Grupin C të UECL-së, po afron, andaj ju ftojmë të gjithëve nga krejt trevat shqiptare, të bashkohemi në stadiumin ikonik “Air Albania” për një tjetër festë futbolli kombëtar” – thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Ndeshja Ballkani – Viktoria Plzen luhet të enjten nga ora 18:45.