Ballkani shet një tjetër “xhevahir”, 200 mijë euro dhe mban 20% të kartonit
Ballkani është skuadra që po bën historinë, teksa siguroi për të dytën herë në histori pjesëmarrjen në grupet e Conference League.
Megjithatë, kampionët e Kosovës do të humbasin një tjetër yll të skuadrës.
SuperSport mëson se Meriton Korenica do e vijojë aventurën e tij në Turqi, tek skuadra e Manisës. Klubi nga Suhareka do të përfitojë 200 mijë euro, ndërkohë që do të mbajë 20% të kartonit. 26-vjeçari ka firmosur këtë të shtunë një kontratë 2-vjeçare.
Drejtori i Manisës, Nderim Nexhipi, i cili për dy vite mbajti të njëjtin rol dhe tek Ballkani ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë transferim, teksa e njeh mjaft mirë futbollistin e lindur në Rahovec. Me Korenicën, Nexhipi ka luajtur në kohën kur ishte pjesë e Shkëndijës, ndërkohë që ishte po 39-vjeçari që e afroi tek Ballkani.
Manisa kërkon ngjitjen në elitën e futbollit turk dhe pritet që Korenica të jetë një vlerë e shtuar që do e ndihmojë ekipin në ngjitjen e ekipit.
Mesfushori do të bashkohet të hënën me përfaqësuesen e Kosovës e pas grumbullimit do të bashkohet me ekipin e ri.
Korenica do të mbajë fanellën me nr. 77 edhe tek Manisa, ku synon të bëjë mirë për të bërë më pas hapin e madh në karrierën e tij.