Ballkani përforcon pozitën e parë falë fitores dhe gabimit të Dritës
Ballkani e ka përforcuar pozitën e parë në tabelën e Superligës së Kosovës.
Pas rezultatit zhgënjyes në Conference League, ku skuadra e drejtuar nga Ilir Daja pësoi humbje nga Astana, kampioni kosovar është kthjellur dhe të dielën ka realizuar fitore ndaj Feronikelit.
Drita ka barazuar kundër Lirisë dhe kësisoji tashmë diferenca në tabelë mes dy skuadrave prijëse është thelluar në favor të suharekasve.
Gjithashtu edhe në ndeshjen tjetër Dukagjini dhe Llapi kanë ndarë pikët.
Skuadra nga Drenasi nuk ka qenë në gjendje ta kapitalizojë terrenin vendas të dielën në ballafaqim me skuadrën kampione. Ndeshja është mbyllur me rezultat 0-3. Kryeziu (44′), Kuç (66′) dhe Gripshi (84) kanë gjetur golat për skuadrën mysafire.
Në Gjilan Drita ani se ka gjetur herët epërsinë, ku Krasniqi ka realizuar qysh në minutën e katërt, megjithatë nuk e ka ruajtur atë. Prizrenasit njëzet minuta para fundit të ndeshjes kanë gjetur barazimin, kur ka shënuar Tijueza.
Në Klinë, në stadiumin “18 qershori” ndeshja nuk ka prodhuar gola.
Pas ndeshjeve të sotme, Ballkani kryeson tabelën me njëzet e gjashtë pikë , katër më shumë se Drita në vendin e dytë.