Ballkani mohon sulmin, thotë se përballet me fushatë
Klubi i futbollit Ballkani ka mohuar sulmin ndaj siç pretendoi Fushë Kosova, lojtarëve dhe trajnerit të tyre, Burim Shalës.
Te klubi kampion i Kosovës kanë thënë se janë duke u përballur me një fushatë për të dëmtuar reputacionin e tyre.
“Vazhdojmë të bëjmë detyrat tona në fushë, duke luftuar ndeshje pas ndeshje, e duke bërë atë që na takon, si klub që i dha shumë futbollit të Kosovës.
Për fat të keq, jemi duke u përballur me një fushatë të pakuptimtë kundër nesh, me tendencë dëmtimin e reputacionit tonë. Nuk kalojnë akuzat për asnjë sulm në shtëpinë tonë. Ndeshjet fitohen apo humben në fushë, kur aty mbyllet takimi, të tjera vegëza nuk e ndryshojnë asnjë gjë. Zhvilluam sot një ndeshje të qetë, të thjeshtë dhe me dominim të pritshëm e logjik, ndaj një skuadre tashmë të Ligës së Parë. Shënuam 3 gola dhe krijuam raste edhe për shumë gola tjerë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Ballkanit.
Te Ballkani kujtojnë disfatën që më herët e kanë pësuar nga Fushë Kosova.
“Por fajin për atë paraqitje e kemi kërkuar brenda nesh, nuk kemi ofenduar oponentët. Andaj le ta kuptojnë të gjithë njëherë e mirë, përfshirë edhe disa media që po ua zë ‘rrugën’ suksesi ynë, qartësisht klubi i Ballkanit mbetet sinonim i mikpritjes së mirë për të gjitha skuadrat që vijnë në Suharekë, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Ashtu ishte edhe sot, ndeshje fer e korrekte, përshëndetje mes palëve dhe gjithçka në formën e duhur. Ne fituam sepse ishim më të mirë në çdo aspekt, andaj duhet pranuar ky fakt!”.