Ballkani e Llapi vazhdojnë me fitore, Gjilani merr tri pikë të rëndësishme

Ballkani e Llapi vazhdojnë me fitore, Gjilani merr tri pikë të rëndësishme

Skuadra kampione në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Fushë Kosovës në kuadër të javës së shtatë në Superligë.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja triumfoi në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 2:0.

Të dy golat portokallezinjtë i shënuan në pjesën e parë, përmes Bleart Tolajt, në minutën e 27-të dhe kapitenit Edvin Kuç, në minutën e 42-të.

Serinë e fitoreve e ka vazhduar edhe Llapi, që ka fituar me përmbysje të rezultatit kundër Malishevës, me rezultat 3:2, me një fund dramatik.

Në fakt, Llapi golin e fitores e realizoi në minutën e nëntë të kohës shtesë përmes Muhamet Hysenit.

I njëjti futbollist realizoi edhe në minutën e 53-të, kur e ngushtoi diferencën 2:1, teksa golin e barazimit e realizoi Ahmed Januzi, në minutën e 90-të.

Paraprakisht, Malisheva krijoi epërsi prej dy golash përmes Aldrit Oshafit (21’) dhe Etnik Brrutit (53’). Fitore të rëndësishme realizoi edhe Gjilani që e mposhti Lirinë, me rezultat 1:0.

Nesër zhvillohen dy ndeshjet tjera, Prishtina-Dukagjini dhe Feronikeli ’74-Drita.

Share This