Ballkani beson në mrekulli: Synon ta vazhdojë ëndrrën evropiane me fitore ndaj Dinamo Zagrebit
Kampioni i Kosovës Ballkani është i gatshëm të përballet me Dinamo Zagrebin, ku në rast fitore dhe njëkohësisht humbjes ose barazimit të Astanës me Plzen atëherë do të avanconin në rrethin e 32-të më të mirave në Ligën e Konferencës.
“Xhebrailat” sërish kanë dëshmuar kualitetin duke arritur për vitin e dytë radhazi në fazën e grupeve, e tani ndoshta janë vetëm një fitore larg fazës së eliminimit direkt.
Mbrojtësi Armend Thaqi është në dijeni për rëndësinë e kësaj finale, duke e vlerësuar si ndeshja më e rëndësishme e tërë vitit.
“Të enjten e kemi ndeshjen më të rëndësishme të gjithë vitit për shkak se me rast fitore dhe kualifikimi, atëherë do ta vazhdonim ëndrrën evropiane që do të ishte histori në vete. Kemi edhe tre ditë kohë që të përgatitemi në maksimum për këtë finale”, tha mbrojtësi i krahut të djathtë për Gazetën Nacionale.
“E dimë që nuk jemi favorit dhe do të kemi përballë një gjigant siç është Dinamo, mirëpo përderisa kemi shanse do të luftojmë deri në fund. E rëndësishme është që ne ta fitojmë ndeshjen pastaj se a na lejon matematika apo jo mbetet krejt tjetër, mirëpo me rëndësi që ne ta kryejmë punën tonë”.
Ballkani ka qenë i shkëlqyer në përballjet e fundit ndaj Astanas dhe Plzenit, megjithatë iu mungoi finalizimi i rasteve. I pyetur nëse po i mungon ndonjë gjë në “aspektin ofensiv”, Thaqi deklaroi se nevojitet vetëm përqendrimi në finalizim.
“Ekipit nuk i mungon asgjë sepse përderisa po krijojmë raste domethënë ekipi punon dhe është në rrugë të mirë, mirëpo vetëm duhet të kemi pak përqendrim në finalizimin e rasteve që të shënojmë sa më shumë gola”.
Ndërkohë, sulmuesi Almir Kryeziu që fatkeqësisht do të mungojë në këtë përballje gjithashtu beson se Ballkani do të marrë rezultatin e nevojshëm.
“Besoj që kemi një ekip shumë të mirë dhe jemi të motivuar për këtë ndeshje, duke ditur që kemi përballë një ekip shumë të fortë siç është Dinamo Zagrebit. Mendoj se të gjithë bashkëlojtarët do të japin maksimumin dhe të marrin rezultat pozitiv”, deklaroi shkurtimisht sulmuesi këmbëshpejtë për Nacionalen.
Për fund, kujtojmë se përballja mes Dinamos dhe Ballkanit zhvillohet në Zagreb, më saktësisht në stadiumin “Maksimir” me fillim nga ora 21:00.