Bajrami reagon ndaj Mujës: Dërgoni lëndët në Prokurori
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja në lidhje me debatin për kontratat njëburimore.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami e ka akuzuar Mujën për shpifje dhe përfshirje në një rast të mëparshëm të ryshfetit lidhur me akreditimin e kolegjeve private.
“Ky shpifësi tjetër, Armend Muja, ka qenë i akuzuar për ryshfet për akreditim të kolegjeve private. I njëjti nuk është shpallur kurrë i pafajshëm, por lënda i është vjetruar, mandej është bërë deputet i LVV. Ky pra është ai që shpif dhe më akuzon mua. Dërgoni lëndët në Prokurori, se unë kurrë s’kam qenë e akuzuar, as kurrë nën hetime”, ka shkruar Bajrami në Facebook, raporton rtk.
Reagimi i Bajramit erdhi pas konferencës për media të deputetit Armend Muja, ku ai prezantoi të dhënat lidhur me kontratat njëburimore për tenderët.
Muja përmendi edhe periudhën kur Bajrami ishte ministre, duke theksuar se në vitet 2008 dhe 2015 kishte numër rekord të këtyre kontratave.
Sipas tij, numri i kontratave me procedurë të negociuar në mandatin e Qeverisë Kurti është përgjysmuar, kur krahasohet me qeverisjet e kaluara.