Bajrami na jep barazimin me “raketën” e tij, Shqipëria del me pikë nga Praga
Shqipëria ka arritur të barazojë ndaj Çekisë me rezultatin 1-1, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
Një pjesë e parë më shumë e përdorur për të njohur kundërshtarin dhe jo me shumë raste konkrete.
Çekët nuk ishin shumë kërcënues në portën e Berishës, pasi kuqezinjtë u mbyllën mirë në fazën mbrojtëse.
Ndërkohë, Shqipëria pati disa mundësi, por të paqartë në topin e fundit. Një rast i pastër ishte pranë minutës së 30’ me Cikalleshin, por nuk mundi të shënonte. Ndërkohë një rast i diskutueshëm ishte brenda zonës së kundërshtarit, pasi Barjami mori një ndërhyrje, por për gjyqtarin nuk kishte asgjë të parregullt.
Në pjesën e dytë vendasit ishin më të rrezikshëm, ku gjetën golin e avantazhit në minutën e 48’, por VAR njoftoi për pozicion jashtë loje. Të vendosur në vështirësi kuqezinjtë tanë, pësuan gol në minutën e 56’ me anë të Cerny pas asistimit të Soucek.
Shqipëria u mundua të barazonte dhe ky gol erdhi pikërisht nga Nedim Bajrami në minutën e 66’. Një goditje predhë nga distanca e lojtarit të Sassuolos dërgoi topin në anën e largët në krahun e majtë të portierit.
Në minutën e 84’, Shqipëria humbi dhe një rast fantastik, por siç ndodhi edhe në pjesën e parë, topi i fundit ishte jo konkret.
Më vonë, Çekia pati edhe një rast të pastër për të shënuar, por Berisha bëri mrekullinë duke hequr topin në vijën fatale. Një pikë me peshë të madhe të marrë sot nga “Shqiponjat” në Pragë, ku Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 7 pikë, një më pak se Çekia e vendit të parë dhe një më shumë se Polonia e vendit të tretë.