
Bajrami: LDK s’ka votë për Albulena Haxhiun
Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka përsëritur qëndrimin e subjektit të saj politik se nuk do të votojnë për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se tash Lëvizja Vetëvendosje e ka ndryshuar strategjinë dhe në vend se të vendos emrin e Albulena Haxhiut, ka bërë një taktikë dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, e që sipas saj tashmë është argumentuar jo vetëm nga ky subjekt, por edhe njerëzit profesionistë që janë jashtë Kuvendit të Kosovës, se është shkelje ligjore e kushtetuese.
“Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Na vjen keq sidomos për z. Dehari, i cili si kryesues i seancës nuk përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është aty për shkak se partia e tij është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Është aty për shkak të moshës dhe për asgjë tjetër. Ai duhet të përcjellë skenarin e përgatitur nga Sekretariati i Kuvendit dhe jo skenarin në të cilin atë e fut Lëvizja Vetëvendosje. Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. E kemi deklaruar që nga fillimi se vota jonë është kundër. Kryetari i parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë përderisa ata nuk reflektojnë”, tha Bajrami, raporton rtk.