
Bajrami: LDK ka shprehur vullnetin politik për të zhbllokuar situatën
Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka përsëritur qëndrimin e subjektit të saj politik rreth zhbllokimit të Kuvendit. Ajo tha se dihet se kush është bllokuesi dhe kujt i mungon vullneti politik për të dalë nga kjo gjendje. Bajrami tha se LDK ka shprehur vullnetin politik për të zhbllokuar situatën dhe krijimin e një qeverie me afat kohor.
“Sot ishte seanca e 12-të si tentativë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Neve na vjen keq, por besoj se është e qartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se kush është bllokuesi dhe se kujt i mungon vullneti politik për të bërë zhbllokimin e institucioneve të Kosovës. Kur nuk i ke numrat si rasti i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund tu diktosh të tjerëve mënyrën për zhbllokimin e institucioneve të Kosovës”, tha Bajrami.
Ajo tha se LDK ka shprehur vullnetin politik dhe tanimë ka në tavolinë një propozim të qartë për një qeveri gjithëpërfshirëse të tranzicionit, e cila do ta zhbllokonte situatën komplet dhe do të rezultonte me konstituimin e institucioneve duke filluar prej Kuvendit, por edhe formimin e një qeverie e cila do të kishte axhendë të qartë dhe një afat të caktuar kohor.
E pyetur nga gazetarët për deklaratat e deputetëve se LDK po frikësohet nga një koalicion vetëm me LVV-në, Bajrami tha se kjo është konsistencë dhe jo frikë.
“Nuk ka të bëjë me frikën. Por besoj që e dini që një opsion të tillë nëse LDK do të ishte e interesuar për pozita dhe pushtet do të ishte shumë më mirë që të bënte koalicion vetëm me LVV. Nuk është frikë është konsistencë”, deklaroi Bajrami, raporton rtk.