
Bajrami: Kurti po e denigron Haxhiun
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami në RTK PRIME ka folur për zhvillimet e fundit në vend e për 25 dështimet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, për çka tha se përgjegjësia kryesore i takon partisë që ka fituar 48 ulëse deputetësh në Kuvendin e Kosovës.
E dyta e LDK-së, parti që për gati tri vite bojkotoi RTK-në, në këtë intervistë deklaroi se, Albin Kurti nuk mund të thotë se i ka votat për Qeveri, por jo për Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.
Sipas saj, nëse Kurti i ka 61 vota për Qeverinë, por jo për Haxhiun atëherë po i bie se po e denigron atë.
“Nuk mund të thuash i kam votat për qeveri, atëherë Kurti nuk po i përdor ato vota për ta zgjedhur Haxhiun. A i bie që patriarkalizmi është pikërisht te ai sepse ai votat që i ka për ta zgjedhur qeverinë, nuk po i vë në shfrytëzim. Votat nuk harxhohen nëse i ke 61 vota për qeverinë, i ke 61 edhe për Albulena Haxhiun. Cili është shpjegimi, pse nuk i përdor ai këto 61 vota. Nëse i ka atëherë i bie që ai është duke e denigruar figurën e zonjës Haxhiu, sepse po i ka numrat, por po i thotë asaj se, këto vota nuk mund t’i përdor për të bërë ty kryetare të Kuvendit, po i ruaj 3 ditë pas, për ta votuar Qeverinë e Kosovës. A po i bije kjo që ndoshta ka deputetët e LVV-së nuk po ia votojnë Haxhiun, ai duhet ta shpjegojë, sepse nuk mund të besoj që Kurti i paska votat, por jo Haxhiu. Atëherë po i bie që ka njerëz brenda LVV-së që nuk janë duke votuar Haxhiun, sepse unë nuk e besoj që ka deputet të partive tjera parlamentare që do ta votonin Kurtin pa një marrëveshje politike”, tha Bajrami në RTK PRIME.
Kështu ajo u deklarua kur u pyet për akuzat ndaj tyre se Haxhiu nuk po votohet veç pse është grua.
Ajo tha se figura e ministres në detyrë të Drejtësisë e kandidates për kryeparlamentare nga Vetëvendosje nuk po kontestohet pse është grua, por se e shohin si një figurë polarizuese.
“Nuk ka të bëjë kjo me gjininë, unë jam grua vetë, jam në politike nga viti 2010, nuk pajohem asnjë pikë sepse askush nuk e ka kontestuar figurën e Haxhiut pse është grua. Të gjitha deklaratat që dëgjohen nga blloku i deri djeshëm opozitar janë që Haxhiu ka qenë figurë polarizuese, çka është e vërtetë, që ka dështuar për katër vite si ministre e qeverisë”, tha ajo.
Bajrami tha se, Kuvendit i duhet një figurë unifikuese meqë kreu i parlamentit do të ushtrojë edhe rolin e presidentit nga marsi i vitit që vjen.
Madje, Bajrami tha se pikërisht do të jetë kjo situatë që do të qojë vendin në zgjedhje, meqë thotë se po shihet qartë se asnjë koalicion nuk i ka vota për ta zgjedhur kreun e shtetit.