Bajrami: Kurti me politikat e tij po i shtyn punëdhënësit drejt protestës

Bajrami: Kurti me politikat e tij po i shtyn punëdhënësit drejt protestës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me politikat e tij po i shtyn punëdhënësit drejt protestës.

“Albin Kurti me politikat e tij po i detyron sot të dalin në rrugë punëdhënësit e 143 mijë punëtorëve”, ka shkruar Bajrami në një status të publikuar në  Facebook”, duke theksuar ndikimin që sipas saj do të ketë vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që nga 1 qershori.

Sipas Bajramit, çmimi i energjisë pritet të rritet deri në 260% për punëdhënësit e mëdhenj, çka ajo e konsideron goditje të drejtpërdrejtë për sektorin privat. Ajo paralajmëron për pasoja të rënda ekonomike dhe sociale: “Kosova po shkon drejt rrënimit ekonomik, e qytetarët e saj drejt varfërisë.”

Duke përmendur disa nga sfidat me të cilat po përballet vendi, Bajrami ka renditur një varg shqetësimesh ekonomike, përfshirë “dy vite nën sanksione nga BE-ja”, “deficit tregtar rekord që nga paslufta” si dhe “100 mijë vende pune më pak, sipas të dhënave të vetë qeverisë”.

Po ashtu, ajo ka përmendur ekzistencën e “2,123 kontratave njëburimore” si dëshmi e keqmenaxhimit të sektorit publik.

Share This