Bajerni është ende “kantier” i hapur, Kane dhe Kepa prioritet
Edhe pse nga starti i sezonit të ri mungojnë ende pak ditë Bayern-i i Mynihut ka shumë punë për të bërë në merkato.
Shkarkimi i Hasan Salihamidžić ka komplikuar jo pak pistat e klubit në merkato dhe për këtë motiv në bavari po përgatiten që të luajnë Superkupën e Gjermanisë me një ekip eksperimental.
Sipas medieve gjermane rebusi i parë ka të bëjë me portën.
Rikthimi i Manuel Neuer mes shtyllave është shtyrë për të paktën 2-3 muaj.
Portieri legjendar i Bayern ka patur vështirësi në goditjen e topit. Këmba e tij ka humbur shumë fuqi pas operacionit dhe tani stafi i mjekëve është i shqetësuar.
Në këtë drejtim Bayern po gjen zgjidhje në merkato dhe duket se Thomas Tuchel preferon që të ribashkohet me Kepa Arrizabalaga.
Siç dihet tekniku gjerman ka mbetur i kënaqur nga bashkëpunimi me spanjollin gjatë kohës që ishte trajner i Chelsea-t.
Për ti plotësuar këtë dëshirë teknikut, drejtuesit e Bayern janë gati të hapin tratativat me klubin londinez. Ata kanë miratimin e Kepa-s dhe tani pritet që të gjendet akordi mes dy klubeve. Bayern do të ishte i interesuar që ta huazonte me detyrim blerje portierin spanjoll.
Një tjetër objektiv i Bayern në këtë merkato vere është edhe Harry Kane.
Bomberi i Tottenham ka qenë në qendër të një tratative, e cila po dëshpëron tifozët e Bayern-it. Sipas medieve gjermane skuadra bavareze po përgatit ofertë prej 115-120 milionë eurosh për Daniel Levy-n.
Presidenti i Spurs mund të “tundohet” nga shuma, e cila është “vetëm” 5 milionë euro më e vogël nga ajo që dëshiron në këmbim të kartonit të 30-vjeçarit. Ky i fundit mësohet se ka biseduar me drejtuesit e ekipit dhe u ka thënë se nëse nuk gjejnë një akord me Bayern deri përpara startit të Prmier League-s atëherë nuk lëviz më nga Londra. Për momentin nuk dihet ende nëse Kane u ka komunikuar atyre dëshirën për të rinovuar ose jo kontratën, e cila mbaron pas 12 muajsh.
Ky detaj nuk është i vogël në këtë “sagë” pasi nëse Kane do të njoftonte klubin se nuk do të rinovonte kontratën atëherë Levy do të ishte “i detyruar” të pranonte ofertën e Bayern-it.