Bach: Kosova, storie suksesi, kaloi pritshmëritë e mia!

Bach: Kosova, storie suksesi, kaloi pritshmëritë e mia!

I pari i sportit në botë, Thomas Bach, ka deklaruar se Kosova ka tejkaluar pritshmëritë e tij, në 10-vjetorin e anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

Në konferencën e organizuar për media, presidenti i IOC-ut, Bach foli për njohjen e Kosovës dhe sukseset në arenën ndërkombëtare, duke veçuar pesë medaljet olimpike, të gjitha të fituara nga xhudo.

“Kosova është bërë storje suksesi dhe për këtë populli i Kosovës duhet të jetë krenar për këtë dhe për punën e Komitetit Olimpik të Kosovës, sepse këto suksese nuk vien nga syri, por kanë ardhur nga puna e Besim Hasanit në atë kohë që ka iniciuar njohjen dhe ka përgatitur sportistët dhe kjo ka rezultuar me medaljen e parë olimpike për Kosovën me Majlindën në atë kohë, që ishte një lloj mrekulli. Pastaj, kjo vazhdoi më tutje, falë punës së mirë të presidentit Ismet Krasniqi, që po i shton shumë medalje kësaj historie të suksesit, por jo vetëm, pasi ka bërë shumë gjatë këtyre viteve për ekipin e Kosovës, si dhe për të promovuar vlerat e sportit në shumë aspekte”, tha presidenti i IOC-ut.

Ai në Kosovë erdhi për herë të dytë, pas vizitës së parë të bërë në vitin 2015, duke thënë se po ndihet i lumtur që 10-vjetorin e KOK-ut në familjen olimpike po e feston së bashku me ne.

Fjalë të mëdha për të arriturat e vendit tonë në këtë dekadë, dha edhe presidenti i EOC-ut, Spyros Capralos, duke kujtuar edhe rrugëtimin e mbarë, ku Kosova debutoi me medalje të bronztë të Nora Gjakovës në Lojërat Evropiane Baku 2015.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, shprehën krenarinë që në këtë ditë historike për vendin tonë, të pranishëm janë edhe liderët botërorë të sportit, duke falënderuar njëkohësisht edhe ish-presidentin Besim Hasani dhe nënpresidentin Fatmir Makolli, të cilët po ashtu ishin të pranishëm.

Pikërisht 10 vjet më parë, më 9 dhjetor 2014, KOK u njoh nga IOC në sesionin e 127 të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Share This