Autobusë elektrikë në shërbim të turistëve në Berat

Autobusë elektrikë në shërbim të turistëve në Berat

Rrugët dhe kalaja e Beratit këtë sezon turistik gjallërojnë nga turistët vendas e të huaj, të cilët njihen nga afër me historinë e qytetit-muze.

Edhe pse këto ditë temperaturat kanë qenë të larta, fluksi i turistëve ndihet kudo në qytetin mbi 2500-vjeçar.

Për të lehtësuar lëvizjen e turistëve, bashkia e Beratit ka vendosur në dispozicion të tyre tre autobusë elektrikë, dy mjete ‘buggie’ dhe gjashtë stacione karikimi.

Këto mjete janë pjesë e logjistikës bashkiake, që mbështet lëvizjen e vizitorëve në itineraret turistike dhe urbane të qytetit

“Në qytet janë vendosur 3 autobusë elektrikë, 2 ‘buggie’ dhe 6 stacione karikimi, që do të jenë në shërbim të turistëve që vizitojnë Beratin në pikat turistike, duke siguruar më pak ndotje dhe më shumë komoditet për vizitorët”, theksoi bashkia.

Ky është një projekt i bashkisë Berat, i mundësuar nga financimi i Bankës Botërore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe hedh një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të gjelbër dhe më mikpritës për të gjithë. /atsh/

Share This