
Aurora Kryeziu bën hapin e madh, transferohet te klubi i njohur gjerman
Portierja e parë e Kombëtares së Kosovës në hendboll, Aurora Kryeziu, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë.
20-vjeçarja prej edicionit të ardhshëm do të jetë pjesë e klubit të njohur gjerman, Mainz.
Mainzi aktualisht garon në Bundesliga 2, ndërsa është prej skuadrave të pjesës së epërme të tabelës. Kryeziu deri më tani ishte te TSG Bretzenheim, që është i fundit në tabelë në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Ajo ishte transferuar te TSG Bretzenheim në vitin 2023 nga Blomberg-Lippe. E ndihmojë skuadrën Brtzenheim që të promovohet në kategorinë e dytë gjermane.
Këtë edicion ka bërë 125 pritje, përkatësisht 6,6 pritje për ndeshje.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm, kam vendosur të largohem nga TSG. Ky vendim është i bazuar në arsye sportive që më dërgojnë në një drejtim të ri. Shikoj para te koha në Mainz, por jam plotësisht e fokusuar për të siguruar mbetjen në divizionin e dytë me TSG-në. Do të bëj çdo gjë të mundshme për të siguruar që të mbetemi në divizionin e dytë”, ka thënë Kryeziu.
Ajo ka shfaqur nivel të lartë edhe në Kombëtaren e Kosovës, ndërsa te Mainzi e vlerësojnë shumë.
“E kemi përcjellë nga afër Aurora Kryeziun prej se kaloi nga Blombergu te TSG. Na ka bindur me paraqitjet e saj në derbi dhe në ndeshjet tjera të divizionit të dytë”, ka thënë Eva Federhenn, drejtore sportive e Mainz 05.
Aurorën e presim muajin e ardhshëm për ndeshjet me Suedinë, që janë të fazës së fundit kualifikuese për Kampionat Botëror.