Athletic Bilbao dhe Mallorca e Muriqit përballen sonte në finalen e madhe të Kupës së Spanjës

Athletic Bilbao dhe Mallorca e Muriqit përballen sonte në finalen e madhe të Kupës së Spanjës

Në Sevilla, Ath Bilbao dhe Mallorca do të diskutojnë trofeun e parë sezonal në Spanjë, me të dyja skuadrat që do të vendosen përballë, për herë të parë në histori në finalen e Copa del Rey.

Një ndeshje vërtet interesante, me baskët të cilët do të luajnë finalen numër 40 në histori, dy më pak se Barcelona, teksa skuadra e Valverde-s rikthehet në finale pas sezonit 2020-2021.

Në krahun tjetër, Mallorca rikthehet në finale pas shumë vitesh pritje, pas më shumë se dy dekadash, pas sezonit 2002-2003 që në fakt mbart shumë kujtime të bukura pasi është suksesi i vetëm në Copa del Rey ndaj Recrativo Huelva, ndërsa kjo do të jetë finalja e katërt në histori.

Dy ekipe të kundërta në kampionat, por jo vetëm pasi edhe në histori e rrugëtim, Bilbao niset si favorite, me ekipin bask që këtë trofe e ka fituar plot 23 herë, teksa vetëm Barcelona ka bërë më mirë, me 31 herë.

Gjatë këtij sezoni, Ath.Bilbao ka treguar se nuk është rastësisht aty, kjo pasi të besuarit e Valverde-s kanë nxjerrë nga gara emra si Barcelona dhe Atletico Madrid.

Mallorca do të gjejë përsëri një kundërshtar bask, sepse në gjysëfinale eliminoi Real Sociedad, e më parë kishte triumfuar edhe ndaj surprizës, Girona.

Sa i përket kampionatit, në këtë sezon skuadrat janë shumë larg njëra-tjetrës, me objektiva të kundërt, me Bilbao-n që pozicionohet si forcë e pestë edhe është në garë për zonën Champions League, ndërsa ekipi i drejtuar nga meksikani Aguirre, në La Liga llogaritë i bën me mbijetesën, kjo pasi qëndron në vendin e 15 me 31 pikë.

Në këtë edicion, Bilbao fitoi në shtëpi 4-0 ndaj Mallorca-s, ndërsa në fazën e parë nuk kishte fitues në barazimin 0-0, me Mallorca-n që nuk fiton prej shkurtit të vitit 2022 ndaj baskëve.

Abdon Prats i Mallorcas dhe Asier Villarible i Athletic janë golashënuesit më të mirë të kompeticionit deri më tani me nga 6 gola secili, ndërsa baskët do të kërkojnë të shfrytëzojnë në maksimum sezonin e mirë të vëllezërve Williams, apo cinizmin e Gurutzeta-s.

Mallorca gjithashtu ka elementë të cilët mund të bëjnë diferencën, duke vijuar me Muriqin, sulmuesi dardan deri më tani ka shënuar 5 gola e ka dhuruar 2 asist, por pa harruar edhe kanadezin Larin.

Për herë të parë në historinë, Athletic Bilbao dhe Mallorca do të diskutojnë trofeun e e Copa del Rey, me sfidën që do të nisë prej orës së 22:00 të së shtunës dhe do të keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Digitalb/SuperSport.

Share This