Atentat në Vlorë, 30-vjeçari ekzekutohet me armë zjarri
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Novoselë në Vlorë, ku një person është gjetur i vdekur brenda makinës së tij.
Sipas informacioneve të para dyshohej për një aksident automobilistik, por pas hetimeve është konfirmuar se viktima kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15, në autostradën Fier–Vlorë. Viktima, 30-vjeçari Kristian Marku, u gjet brenda mjetit tip “Volkswagen”.
Autorët e krimit nuk janë identifikuar, por dyshohet që ata i ngritën pritë viktimës para se të zbraznin armët me breshëri drejt tij.
Makina me të cilën dyshohet se u larguan autorët u gjet e djegur pranë vendit të ngjarjes, të quajtur “Kripa”. Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët.
Policia ka nisur një hetim të thelluar për të siguruar provat që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po ashtu, autoritetet po kryejnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të gjetur ndonjë gjurmë që mund të ndihmojë në hetimin e mëtejshëm.
Kush është Kristian Marku?
30-vjeçari Kristian Marku alias Kristi Bardhi, nga Mirdita, rezulton person me precedentë të përparshëm penalë për “Vrasje me dashje ne bashkëpunim mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje e armeve te zjarrit dhe municionit luftarak”. Ai ishte nipi i Martin Bardhit, i vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023.
Gjithashtu 30-vjeçari dyshohet të ishte autor në ngjarjen e datës 26 mars 2023, rreth orës 19:00, ndodhur në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit. /rtsh/