Atentat në Shkodër, 33-vjeçari ekzekutohet brenda makinës së tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Dragoç të Postribës, ku një 33-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij. Banorët e zonës kanë qenë të parët që kanë vënë re trupin e pajetë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.
Viktima është Ramazan Mata, 33 vjeç, ndërsa ende nuk dihen detaje të tjera mbi motivet e vrasjes. Sipas policisë ndaj 33-vjeçarit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të tij tip “Benz”.
“Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin R. M., 33 vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën”, njofton policia.
Forca të shumta të rendit janë dërguar në vendngjarje për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve, raporton rtsh.