
Atdhe Nuhiu me fjalë e këngë emocionuese në zhveshtore pas fitores ndaj Islandës
Fitorja 3:1 ndaj Islandës në Murcia të Spanjës nuk ishte vetëm një fitore – ishte një moment historik për Kombëtaren e Kosovës, e cila siguroi promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Atmosfera në zhveshtore ishte elektrizuese dhe për këtë u përkujdes ndihmës-trajneri Atdhe Nuhiu, i cili mbajti një fjalim emocionues para futbollistëve dardanë.
“Urime fitoren, djema! E keni merituar për gjithçka që keni dhënë këto ditët e fundit. Jam krenar me juve dhe shumë krenar që jam këtu bashkë me juve. Faleminderit që më keni pritur kaq mirë! Dion Gallapeni, urime debutimin. Vedat Muriqi ‘hattrick’, të dua”, u shpreh Nuhiu me entuziazëm.
Pas fjalimit, ai ia tha këngës bashkë me futbollistët dhe stafin duke kënduar me pasion “Unë jam shqipe nga Kosova, e kam zemrën sa Rugova…”
Kjo video tregon shumçka – se ky ekip është rritur bashkë dhe funksionon si një familje e madhe!
Dashuria dhe lidhja e ndërsjellë mes presidentit, shtabit teknik, futbollistëve dhe stafit u pa qartë në këtë natë të paharrueshme në Murcia. Një ekip, një zemër, një familje.
Ky moment do të mbahet mend gjatë dhe do të shërbejë si simbol i shpirtit luftarak dhe unitetit të Kombëtares për suksese të reja.
Vendimi i presidentit të FFK-së, Agim Ademi për ta afruar Atdhe Nuhiun në stafin e Kombëtares, ashtu sikurse edhe ish-lojtarët e tjerë si Samir Ujkani, Hekuran Kryeziu e Anel Rashkaj pa dyshim është tejet i qëlluar dhe pritet të dëshmohet edhe në të ardhmen si lëvizje me vizion.