Asllani: Shumë i lumtur që luajta dy ndeshje, Sylvinho na ka bërë grup të fortë
Kristjan Asllani bëri një tjetër 90-minutësh si titullar, teksa për SuperSport pranoi se i kishin munguar ndeshjet e plota në fushë dhe falënderoi trajnerin Sylvinho për besimin.
Shumë ndryshime në formacion, por aspak në lojë. Kaq shumë jemi rritur?
Jemi të gjithë të përqendruar, që kushdo që luan jep maksimumin. Merita e trajnerit është që na ka bërë të gjithë një grup të fortë dhe të gjithë ata që luajtën sot, dhanë maksimumin.
Si u ndjeve me Laçin sot, pasi më herët keni luajtur me Ramadanin?
Nuk ka problem kush luan, unë, Laçi, Ramadani, Gjasula apo Bare. Jemi shumë mesfushorë dhe kush është më në formë luan. E rëndësishme është që të jemi gjithmonë gati.
Shumë lojtarë të rinj në skuadër…
Po, e vërtetë, pasi janë Mitaj, Muçi, Çuni, unë dhe të tjerë. Shpresoj të qëndrojmë sa më gjatë këtu dhe të japim kontributin tonë për Kombëtaren.
Si ndiheni të luani dy ndeshje të plota brenda pak ditëve?
Jam shumë i lumtur, pasi kisha kohë që nuk merrja kaq shumë minuta. Ndihesha mirë dhe doja të luaja, ndaj falënderoj trajnerin që më dha mundësinë. Tani do të kthehem te Interi, ku shpresoj të marr sa më shumë minuta edhe atje.