Asllani për Lautaro Martinez: Më ka ndihmuar në momente të vështira
U aktivizua në pjesën e dytë për të zëvendësuar Calhanoglu, Kristjan Asllani shpreh të gjithë kënaqësinë e tij për fitoren e Interit në fushën e Salzburg që vlen kalimin në 16-shen e Champions League.
“Është një fitore shumë e rëndësishme sepse e mbyllëm diskutimin e kualifikimit, nuk donim ta kthenim Salzburgun në lojë”, tha mesfushori shqiptar për Mediaset Infinity.
Pjesa e pare, pak e vështirë – “Salzburgu është një ekip i fortë, na vunë në vështirësi. Është normale, ata po luanin edhe në shtëpi. Në pjesën e dytë ulën ritmin dhe ne bëmë më të mirën duke marrë tri pikë”.
“Jemi një grup i fortë, vazhdojmë të punojmë kështu. Ne të rinjtë e kemi më të lehtë të punojmë në këtë grup”.
Për Lautaro Martinez – “Ai është i jashtëzakonshëm, brenda dhe jashtë fushës. Është një djalë i artë, më ka ndihmuar në momente të vështira. E falënderoj, jam i lumtur që skuadra ka një kapiten të tillë”.
A do ta arrijë Interi deri në fund në të gjitha garat? – “Kush e di? Ne punojmë për këtë, pastaj do të shohim. Është normale që të gjithë duam të fitojmë, të gjithë duam të arrijmë atje së bashku me tifozët. Objektivat janë të qartë”.