Asllani: Ndaj Suedisë bëmë shumë mirë, jam mësuar të luaj para mbrojtjes
Kristjan Asllani ka evidentuar nota pozitive në humbjen e Shqipërisë ndaj Suedisë, teksa në intervistën për SuperSport deklaroi se ka ende shumë punë për të bërë, për t’u paraqitur denjësisht në Europian.
Çfarë nuk shkoi te Shqipëria në këtë takim?
Vinim me moral të ulët, pasi humbëm me Kilin, ku bëmë një ndeshje të dobët. Sot besoj se bëmë shumë mirë dhe po punojmë shumë, pasi duam të arrijmë në formën më të mirë në Europian.
Në planin personal, cili është vlerësimi që i bën vetes në këto dy ndeshje?
Nuk di të them, pasi gjithmonë kam mundësinë të bëj diçka më tepër. Sot besoj se bëra shumë mirë, por vlerësimet ua lë gazetarëve. Unë dëgjoj opinionet e trajnerit dhe të ekipit, për t’u përmirësuar në të mirë të tyre.
U ndjetë mirë me modulin e sotëm?
Nuk ka problem, pasi mund të përshtatem në të gjithë rolet e mesfushës. Sot isha në qendër, rol që e bëj edhe te Interit dhe kisha pranë Laçin, që bën shumë kilometra. Jam gati të luaj kudo ku skuadra ka nevojë.