Asllani: Mezi po e pres ndeshjen me Italinë, tifozët i kemi të zjarrtë
Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte lojtari i radhës i cili doli mesditën e sotme në konferencën për media nga kampi kuqezi i zhvendosur prej disa ditësh në Kaiserau, Gjermani, në prag të finaleve të EURO 2024.
Djaloshi kuqezi iu përgjigj interesit të mediave shqiptare dhe komentoi në mënyrë të veçantë ndeshjen e parë hapëse të Shqipërisë ndaj Italisë, që do të luhet të shtunën në ora 21:00 në Dortmund.
Asllani vlerësoi me nota të larta përfaqësuesen italiane, duke e konsideruar si një ekip të fortë, ndërsa u shpreh se ekipi kuqezi po e analizon shumë mirë kundërshtarin.
Mesfushori theksoi ndër të tjera se forca e ekipit tonë është grupi, ndërsa theksoi se skuadra duhet të luftojë në fushë për të marrë rezultat pozitiv. Asllani vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve shqiptarë.
“I njohim të gjithë lojtarët. Shumica jonë luan në Serinë A. Janë lojtarë të fortë. Italia është një Kombëtare e fortë. Mezi po e pres këtë ndeshje dhe mezi po pres të hyj në fushë
“Italia është një nga Kombëtaret më të forta për mua. Ne i dimë se çfarë duhet të bëjmë, kemi edhe ne një mesfushë të fortë. Do të presim ndeshjen dhe ta shikojmë se çfarë do të bëjmë”.
“Forca jonë është grupi, kush luan e di se çfarë duhet të bëjë në fushë. Kemi një plus të madh që janë tifozët dhe i presim se janë zjarr”, ka pohuar Asllani.