“Askush nuk më uroi”, Xavi: Depresion i kotë, jemi në garë për 4 trofe
Barcelona nuk po funksion shumë mirë në periudhën e fundit. Pavarësisht kualifikimit në raundin e 1/8-ve në Champions League si forcë e parë e grupit, skuadra katalanase është përballur me kritika të shumta.
Dy humbjet e fundit përballë Gironës në La Liga dhe belgëve të Antëerpit në Champions, kanë zemëruar tifozët. Barcelona renditet në vendin e katërt në kampionat, me 7 pikë më pak se Girona kryesuese.
Trajneri Xavi ka reaguar, duke theksuar se skuadra e tij ndodhet në garë për fitimin e katër trofeve, teksa zbuloi disa nga mesazhet e marra nga tifozët e trishtuar.
“Po të ishim eliminuar nga Champions League, do t’i kisha kuptuar kritikat. Jemi në garë në La Liga, padyshim që duhet të përmirësohemi, por po luftojmë në katër kompeticione.
Marr mesazhe sikur të ishim në një funeral, sikur të kishte vdekur babai ose nëna ime… Askush nuk më uroi për kualifikimin në Champions League, askush.
Objektivi i parë u arrit, ndërkohë që jemi në garë edhe për objektivat e tjerë. Nuk e kuptoj, pse duhet të biem në depresion?”, theksoi trajneri, i cili e mbylli me një batutë në lidhje me pozitat e tij.
“Shkarkimi im? Një muaj më parë të gjithë ishit të bindur se do të bëhesha Fergusoni i Barcelonës… “