Asani, shpresa e Gwangju ndaj gjigantit Al Hilal

Asani, shpresa e Gwangju ndaj gjigantit Al Hilal

Trajneri i Gwangju FC, Lee Jung-Hyo, ka deklaruar se ndeshja ndaj Al Hilal në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve të Azisë do të jetë “jetë a vdekje”, duke besuar se shpresa më e madhe e skuadrës së tij mbetet sulmuesi shqiptar, Jasir Asani.

Asani i ka dhënë Gwangju një kualifikim historik në çerekfinale, duke shënuar dy gola në fitoren 3:0 ndaj kampionëve të Japonisë, Vissel Kobe, më 12 mars. Me 9 gola gjithsej, ai është golashënuesi më i mirë i turneut, së bashku me brazilianin Anderson Lopes të Yokohama Marinos.

Të premten, në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Arabinë Saudite, Gwangju do të përballet me Al Hilalin, një nga favoritët kryesorë për titullin, që synon trofeun e pestë kontinental. Skuadra saudite, e mbushur me yje ndërkombëtarë si Mitrovic, Milinkovic-Savic, Koulibaly, Neves dhe Cancelo, është vlerësuar për përbërjen luksoze, por trajneri Lee ka theksuar një tjetër aspekt.

“Duhet të përqendrohemi te lojtarët vendas të Al Hilalit. Emrat e mëdhenj i njohim, por janë lojtarë si Salem Al-Dawsari, Mohamed Kanno dhe Ali Al-Bulayhi ata që janë në zemër të kësaj skuadre. Duhet të kemi kujdes prej tyre”, ka thënë ai në konferencën për shtyp.

Lee gjithashtu ka theksuar se çdo moment i ndeshjes do të ketë peshë të madhe për skuadrën e tij.

“Çdo minutë, çdo sekondë do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Ndeshja ndoshta do të zgjasë 100 minuta dhe është një mundësi për ne që t’i tregojmë botës si luajmë. Do të jetë ndeshje për jetë a vdekje, njëra skuadër do të fitojë, tjetra do të eliminohet”, ka thënë ai.

Gwangju është skuadër debutuese në këtë kompeticion, por ka befasuar me paraqitje të guximshme dhe me kontributin e madh të Asanit, i cili tashmë shihet si një figurë kyçe për suksesin e tyre të mëtejshëm.

Çerekfinalet e Ligës së Kampionëve të Azisë këtë vit përfshijnë tetë skuadra: tri nga Arabia Saudite, dy nga Japonia, dhe nga një përfaqësuese nga Koreja e Jugut, Katari dhe Tajlanda. Ndeshja ndërmjet Al Hilalit dhe Gwangju-s zhvillohet të premten në orën 18:30 me orën lokale.

Share This