Arteta paralajmëron Bayernin: Ka 15 vite që nuk kemi një rast të tillë
Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit, prezantoi ndeshjen e nesërme kundër Bayern në konferencën për shtyp, ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League:
“Po e shijojmë vërtet momentin, jemi aty ku do të dëshironim, në Premier League dhe në Champions League, para nesh do të gjejmë një nga klubet me më shumë triumfe në Evropë, por mezi presim të kapërcejmë këtë lloj pengese. Ata janë një skuadër top, unë jam një admirues i madh i Tuchel, për mënyrën e tij të lojës dhe për t’i bërë skuadrat e tij të luajnë, mënyrën se si ai transmeton koncepte. Mësova shumë prej tij, duke parë atë që ai bëri. Ne jemi përgatitur mirë dhe tani do të duhet të luajmë lojën tonë. Nëse e bëjmë, kemi një shans për ta fituar”.
Për kërcënimin Harry Kane: “Nuk është vetëm ai, janë edhe 10 individët e tjerë. Ne i dimë cilësitë e të gjithë këtyre lojtarëve, në veçanti të tij. Gjëja më e mirë është të përpiqemi të parandalojmë kolektivisht. Më i madhi rrezik për ne është qëndrueshmëria e Kane, shikoni shifrat që ai ka pasur në 10 vitet e fundit. E pabesueshme! Dhe ai mund të shënojë në mënyra të ndryshme, ne duam të shmangim që të shërbehet në mënyrën më të mirë”.
Arteta vijon: “Pres një stadium plot dhe shumë pasion e emocion. Ka 15 vite që nuk kemi një rast të tillë, kjo ju tregon se sa e veçantë do të jetë mbrëmja për ne”.