
Arteta: Moment magjik t’i shënosh tre gola Realit
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur pas triumfit 3-0 kundër Realit të Madridit në ndeshjen e vajtjes në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.
Ai ka parë skuadrën e tij të dominojë kampionët e Evropës dhe tashmë Arsenali mund të shpresojë vërtet për një vend në gjysmëfinale.
Megjithatë, në Londër tregohen të rezervuar sa i përket kualifikimit, duke e ditur se janë edhe 90 minuta të gjata në Madrid.
Arteta i di më mirë se kushdo tjetër këtë gjëra, teksa ka analizuar takimin.
“Mendoj se kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer, kemi luajtur në një nivel mjaft të lartë. Ndryshe nuk mund t’i shënosh tre gola Realit të Madridit. Kjo ndodh vetëm duke luajtur në një nivel të lartë kolektiv. Këto janë momente magjike që ka prodhuar skuadra. Pastaj golat e Deklan (Rajs) ishin me të vërtetë një çmenduri. Kishte kohë që nuk shënonim një gol me goditje dënimi direkte. Kujtoj se golin e fundit me një goditje të lirë e kemi shënuar në vitin 2021. Dhe, si për habi, shfaqet një lojtar që nuk kishte shënuar kurrë më parë me goditje dënimi dhe realizon dy perla në një mbrëmje. Duhet të përgatitemi për të vuajtur. Por duhet të zbresim edhe në Madrid me shpirtin e garës së treguar në Londër”, tha tekniku i Arsenalit.