
Arteta i bindur: Arsenal ishte më i miri në Champions League
Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka përsëritur bindjen e tij se skuadra londineze ka qenë më e mira në Champions League këtë sezon, pavarësisht eliminimit në gjysmëfinale nga Paris Saint-Germain.
Në një deklaratë për media të premten, ai e ka pranuar se në Premier League skuadra ka bërë një hap pas, por ka theksuar se paraqitjet në Evropë flasin vetë.
“E kam parë sërish ndeshjen, kam analizuar të gjitha statistikat. Kishim statistikat më të mira dhe golavarazhin më të mirë në gjysmëfinale, kështu që është shumë e qartë.
Por nuk ka të bëjë me probabilitetin për të fituar apo me atë që ke merituar, ka të bëjë me ta bërë realitet dhe me ta konkretizuar. Kur shikon statistikat kyçe që zakonisht të japin bazën më të mirë për të fituar ndeshje futbolli, është shumë e qartë kush ishte më i miri”, ka thënë ai.
Arteta, i cili e mori drejtimin e Arsenal në vitin 2019, e ka cilësuar humbjen në ndeshjen e dytë gjysmëfinale si një moment të veçantë në karrierën e tij.
“Ka qenë një nga momentet më të dhimbshme, por edhe më krenare që kam pasur si trajner i Arsenal, për shumë arsye të dukshme”, është shprehur ai.
Në kampionatin anglez, Arsenal aktualisht ndodhet në vendin e dytë, pesëmbëdhjetë pikë pas liderit Liverpool dhe vetëm tre pikë mbi Manchester City. gjithashtu ka katër pikë më shumë se Newcastle dhe Chelsea, që ndodhen menjëherë pas tyre.
“Në Premier League kemi bërë një hap prapa. Me pikët që kemi grumbulluar është e qartë se nuk kemi qenë në nivelin e sezonit të kaluar, kjo është e dukshme”, ka thënë Arteta.
Sipas tij, në rrethana të tjera, Arsenal do të kishte qenë në gjendje të luftonte për dy tituj këtë sezon.