Arrestohet një i dyshuar lidhur me sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Arrestohet një i dyshuar lidhur me sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar lidhur me dhunën e shkaktuar më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan. 

Sipas njoftimit të policisë, i arrestuari është identifikuar si njëri ndër personat që ka përdor dhunë në mënyrë aktive në Zveçan.

“Sot me datë 24.07.2024, pas një pune hetimore dhe operative të ekipeve të Policisë së Kosovës është lokalizuar në rajonin e Mitrovicës Jug, i dyshuari me iniciale (D.D.) ndaj të cilit ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, lidhur me rastin e sulmit ndaj autoriteteve/forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë me datë 29.05.2023, i identifikuar si njëri ndër personat që ka përdor dhunë në mënyrë aktive në Zveçan”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se ai dyshohet  për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” ,”Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Tutje në njoftim thuhet se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia ka bashkangjitur edhe foton e të dyshuarit duke sulmuar me mjete të forta me datë 29 Maj 2023. /rtk/

Share This