Armend Thaqi pas humbjes kundër Astanas: Jemi në garë dhe do të luftojmë edhe pse nuk jemi favorit
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi ka insistuar se Ballkani nuk e ka ndërmend të dorëzohet dhe pas humbjes në Prishtinë nga Astana, do të shkojë në Kazakistan për fitore.
Ballkani u mposht 2:1 të enjten në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit C të Ligës së Konferencës, ndërsa pas dy javësh e luan duelin tjetër.
Thaqi pranoi se Ballkani luftoi dhe nuk u dorëzua deri në fund, por sërish nuk arriti ta evitojë humbjen nga Astana.
“E kemi ditur prej fillimit se do të jetë ndeshje e vështirë sepse Astana edhe ekip i përgatitur shumë në aspektin fizik. E filluam keq ndeshjen, u rikthyem por prapë pësuam golin e dytë. Nuk u dorëzuam dhe luftuam por nuk arritëm ta fitojmë ndeshjen”, shtoi Thaqi.
“Jemi në garë për kualifikim dhe do të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme që na presin në grup. Kemi kohë edhe dy javë dhe do të përgatitemi të shkojmë atje për të fituar dhe ta mbajmë veten në garë. Kjo humbje na ka ulur pak moralin, por ne nuk do të dorëzohemi deri në fund. Humbje na lë një shije te keqe edhe pse kundërshtari i fortë, por duhet ta pranojmë fatin dhe realitetin dhe të bëhemi edhe më gati. Jemi në garë dhe do të luftojmë edhe pse nuk jemi favorit për ta kaluar grupin dhe për këtë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. /koha/