
Ardon Jashari në ‘radarin’ e Guardiolës, City gati të paguajë mbi 35 milionë euro
Ardon Jashari po përjeton momentin më të mirë të karrierës së tij.
Pas një sezoni spektakolar në elitën e futbollit belg me Club Brugge, mesfushori kosovar është shpërblyer me çmimin “Futbollisti më i mirë i sezonit” në Jupiler Pro League, një arritje që ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Sipas “Sky Sport DE”, kosovari që përfaqëson Zvicrën është në ‘radarin’ e Manchester City-t.
Gazetari i njohur gjerman, Florian Plettenberg, raporton se nëse gjithçka shkon sipas planit, 22-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, që do ta mbajë te City deri në verën e vitit 2029.
Klubi anglez pritet të paguajë më shumë se 35 milionë euro për kartonin e tij, duke e bërë Jasharin një nga transferimet më të bujshme të verës.
Krahas Man City-t, për Jasharin nuk mungon interesimi edhe nga klubet e mëdha gjermane.
Borussia Dortmund dhe Bayer Leverkusen, dy nga skuadrat kryesore të Bundesligës, kanë shprehur interesim serioz për mesfushorin defanziv. Në rast transferimi në Leverkusen, ai do të kishte mundësinë të luante përkrah Granit Xhakës, me të cilin ndan mesfushën edhe te Kombëtarja e Zvicrës.