Arbër Hoxha: Në Angli shkojmë për të dhënë maksimumin

Arbër Hoxha: Në Angli shkojmë për të dhënë maksimumin

Kombëtarja shqiptare nisi sot zyrtarisht grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Futbollisti kuqezi Arbër Hoxha, të hënën në një konferencën për media, tregoi emocionet dhe pritshmëritë për sfidat që e presin ekipin kombëtar.

Ai e cilësoi sfidën e parë të Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë si një përballje të vështirë, duke theksuar se kundërshtari ka lojtarë të klasit botëror.

Megjithatë, Hoxha u shpreh se beson te kualitetet e ekipit dhe shpreson në një rezultat pozitiv, duke premtuar se do të japë maksimumin në minutat që do të ketë në dispozicion.

“Ndeshja e parë me Anglinë është e vështirë, duke marrë parasysh që Anglia ka lojtarë të klasit botëror. Ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin, i dimë cilësitë dhe kualitetet tona. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë do të bëj më të mirën, sa minuta të kem në dispozicion”, tha Hoxha.

Kosovari tashmë ka bërë një vit në fanellën kuqezi. Sipas tij, ishte një vit i suksesshëm.

“Besoj që ka qenë një vit shumë i mirë, sepse arritëm kualifikimin në Evropian. Do të bëjmë më të mirën gjithmonë dhe shpresoj që të kualifikohemi në Botëror”, theksoi Hoxha.

Share This