Arbër Hoxha, emri i ri në kombëtare shqiptare
Arbër Hoxha është emri i ri në listën e kombëtares të shpallur nga trajneri Silvinjo për miqësoret kundër Kilit e Suedisë.
25-vjeçari i lindur në Haidelberg të Gjermanisë luan si sulmues krahu me Dinamon e Zagrebit në kampionatin kroat.
Ai e ka nisur karrierën me Istogun në Kosovë, për të kaluar më pas periudha huazimi te Prishtina, Hajvalia e Besa e Pejës para se të transferohej te Ballkani, me të cilin shënoi 14 gola në 41 ndeshje. Që nga sezoni 2021-22 ai luan në Kroaci, në fillim me Lokomotivën e Zagrebit, e më pas me Slaven Belupo, deri në janar të këtij viti, kur kaloi te Dinamo e Zagrebit.
Të enjten në mbrëmje Hoxha shënoi një gol shprese për Dinamon në Conference League kundrë PAOK-ut, por në fund kroatët u mundën 5-1 dhe u eliminuan.
Hoxha ka luajtur një ndeshje për Kosovën nën 21 dhe tri ndeshje miqësore me kombëtaren kosovare, duke shënuar edhe një gol, atë të fitores 1-0 kundër Gambias.