
Arb Manaj i Dritës: Ndjenjë e veçantë, synojmë gjëra të mëdha në Evropë
Drita është kampioni i ri i Kosovës në futboll pas një sezoni të jashtëzakonshëm deri më tani.
Bardhekaltërtit kanë dominuar bindshëm Superligën e Kosovës në edicionin 2024/25, duke u shpallur kampione katër javë para përfundimit të kampionatit me 12 pikë epërsi që kanë aktualisht ndaj Ballkanit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani ka treguar stabilitet, forcë kolektive dhe një lojë të organizuar që nga xhiroja e parë, duke e lënë pas konkurrencën në garën për titull.
Pas pesë vitesh pritje, titulli është rikthyer në qytetin e Gjilanit, ndërsa fitorja nuk do të ishte e mundur pa kontributin e disa individëve kyç, ku një prej tyre është padyshim top sulmuesi Arb Manaj.
Sulmuesi 26-vjeçar është rikthyer në futbollin kosovar si një lider i vërtetë. Me 11 gola të shënuar dhe 10 asistime të dhëna deri tani, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund, Manaj është ndër lojtarët më vendimtarë të sezonit. Aftësia e tij për të bërë diferencën në ndeshjet më të vështira dhe për të ndihmuar skuadrën me golat, asistimet, por edhe me luftën e jashtëzakonshme që tregon në fushë, e bëjnë atë një nga sulmuesit më të kompletuar në kampionat. Manaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se që nga fillimi i sezonit objektivi ka qenë titulli i kampionit.
“Që nga fillimi i kemi ditur objektivat tona dhe qëllimi kryesor ka qenë titulli kampion. Normalisht që kam besuar shumë, duke marrë parasysh cilësinë e skuadrës dhe seriozitetin e drejtuesve të Dritës”, ka thënë Manaj.
Manaj e vlerëson shumë këtë titull, për faktin se trofeu rikthehet në Gjilan pas pesë vitesh pritje.
“Për mua do të thotë shumë ky titull, sidomos sepse e rikthyem trofeun në Gjilan pas pesë vitesh. Është një moment shumë i veçantë”.
Të bësh numër dyshifror të golave dhe asistimeve nuk është asnjëherë e lehtë, por Manaj e arriti këtë me 11 gola dhe 10 asistime deri më tani.
“Po, jam i kënaqur me paraqitjet e mia. Natyrisht, gjithmonë ka vend për përmirësim, por më e rëndësishmja është që kemi arritur objektivin tonë si skuadër”.
Drita do të luaj në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, derisa Manaj thotë se shpresojnë që të kenë fat dhe të arrijnë së paku në grupet e Ligës së Konferencës.
“Shpresojmë të kemi fat në short dhe të arrijmë deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Do të japim maksimumin për ta bërë këtë ëndërr realitet, është objektivi që i kemi vendosur vetes këtë verë”, ka deklaruar Manaj.
Në katër xhirot e fundit të kampionatit, Drita do të luaj ndaj Ballkanit dhe Gjilanit si mysafir derisa pret Dukagjinin dhe Feronikelin ’74 në ndeshjen e fundit ku edhe pritet të ketë ceremoni të ndarjes së medaljeve dhe do t’i jepet trofeu i kampionit skuadrës bardhekaltër.