Arabia Saudite e mbulon me “ar” Mancini-n, gati mega-kontrata
Në Riad janë të sigurt për emrin e ri të komisarit teknik të Arabisë Saudite. Sipas medieve vendase është Roberto Mancini i duhuri për kombëtaren e “Jeshilëve”.
Mësohet se tratativat janë aq të avancuara sa flitet edhe për shifra konkrete. Kontrata e ardhshme e Mancini-t do të jetë 3-vjeçare ndërsa paga vjetore pritet të jetë plot 30 milionë euro. Kanë qenë këto shifra që kanë shtyrë ish-komisarin teknik të Italisë që të largohet në atë mënyrë nga stoli i njërës prej kombëtareve më prestigjioze të planetit.
Gazetarët sauditë janë të bindur se mes Federatës Arabe të Futbollit dhe Mancini-t tratativat kanë nisur që në muajin qershor. Nëse gjithçka do të mbyllet me sukses atëherë italiani do të jetë në krye të bankinës të Arabisë Saudite më 8 dhe 12 shtator kur Arabia Saudite ka në program që të luajë dy miqësore respektivisht kundër Costa Rikës dhe Koresë së Jugut.
Ndërsa në nëntor Mancini nis aventurën e kualifikueseve për në Botërorin e 2026-ës ku Arabia Saudite ndodhet në të njëjtin grup me përfaqësuese si Jordania, Taxhikistani dhe njëra mes Kamboxhias ose Pakistanit.