Apeli ia shqipton Salih Mustafës 15 vjet burgim
Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë njoftojnë se Salih Mustafës i është shqiptuar dënimi i ri prej 15 vitesh burgim.
“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores.
Tutje thuhet se vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit.
Ndryshe Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues shqiptoi aktgjykimin dhe e shpalli Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.
Më 6 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje. Mustafa e apeloi vendimin e shkallës së parë dhe dënimin e dhënë nga Trupi Gjykues, raporton rtk.