Anëtari i familjes Gërvalla: Gërvallajt dhe Haradinajt janë histori e përbashkët
Kujtim Gërvalla, një prej anëtarëve të familjes emblemë Gërvalla, ka reaguar publikisht lidhur me çështjen e diskutuar së fundmi nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar lidhjet historike mes familjeve Gërvalla dhe Haradinaj, duke përçuar një mesazh uniteti.
“Gërvallajt dhe Haradinajt janë histori e përbashkët. Këtë e dëshmon edhe Nëna Ajshe përmes një videoje. Nuk mundet me i thye askush këto dy familje mes vete. Brigada 131 ‘Jusuf Gërvalla’ është udhëhequr nga Daut Haradinaj. Ne si familje Gërvalla i përulemi familjes Haradinaj dhe gjithë atyre që e dhanë jetën për liri,” ka shkruar Kujtim Gërvalla.
Ky reagim vjen në një kohë kur ministrja Gërvalla ka degraduar me fjalorin e saj kundrejt Haradinajve. Mesazhi i tij thekson rëndësinë e respektit dhe bashkëpunimit mes familjeve dhe figurave që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës.