Ancelotti zbarkon në Brazil, gati të nisë epokën e re me ‘Seleçao-n’

Ancelotti zbarkon në Brazil, gati të nisë epokën e re me ‘Seleçao-n’

Trajneri i njohur italian, Carlo Ancelotti, ka mbërritur në Brazil, ku pritet të marrë drejtimin e Kombëtares braziliane të futbollit.

Sipas medieve të huaja, Ancelotti, i cili tashmë e  ka përfunduar aventurën e tij në krye të Real Madridit, është gati të nisë një sfidë të re në Amerikën e Jugut.

Strategu 65-vjeçar të dielën mbrëma pak para orës 21:00, ka zbarkuar në Rio de Janeiro, duke udhëtuar me një avion privat së bashku me disa anëtarë të familjes dhe pjesëtarë të stafit të tij teknik.

Siç raportohet, Ancelotti sot, në orën 18:00 me orën lokale, ai do të shpallë listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit të Amerikës së Jugut, kundër Ekuadorit dhe Paraguait, të planifikuara për muajin e ardhshëm.

Trajneri italian u prit pa ndonjë ceremoni zyrtare, me vetëm një tifoz të veshur me fanellën e Brazilit që e përshëndeti në aeroportin ndërkombëtar të Rios.

Megjithatë, atmosfera pritet të ndryshojë kur ai të paraqitet sot në konferencën e parë për shtyp si trajner i Brazilit, që do të mbahet në një hotel në kryeqytet.

Me një CV të pasur dhe përvojë të jashtëzakonshme në klube elitare evropiane, Ancelotti pritet të sjellë një frymë të re dhe eksperiencë të madhe në radhët e kombëtares më të lavdishme në histori të futbollit.

Share This