Ancelotti lavdëron Guler pas fitores ndaj Celta Vigos: Ka ndryshuar shumë

Ancelotti lavdëron Guler pas fitores ndaj Celta Vigos: Ka ndryshuar shumë

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur me superlativa për mesfushorin turk Arda Guler pas fitores 3-2 ndaj Celta Vigos të dielën.

Guler shënoi një gol dhe asistoi në një nga dy golat e Kylian Mbappe-s në fitoren ndaj Celta Vigo-s.

“Ndeshja dukej se ishte mbyllur,” tha Ancelotti pas përfundimit të takimit.

“Kishim rastin të shënonim të katërtin me Guler, më pas bëmë zëvendësimin sepse Asencio ishte i lodhur dhe nuk mund të vazhdonte. Vuajtëm pak më shumë seç duhej”, tha Ancelotti.

Tekniku italian foli edhe për vështirësitë që ekipi po përjeton për shkak të mungesave në prapavijë.

“Duhet marrë parasysh që me daljen e Asencios, na mungonin gjashtë mbrojtës dhe nuk është gjithmonë e lehtë t’i rregullosh këto gjëra. Por për një orë luajtëm shumë mirë. Duhej të menaxhonim avantazhin pak më mirë, por në fund ishte një fitore e bukur”, theksoi Ancelotti.

Strategu italian ka folur me entuziazëm për rritjen e Arda Guler që po shfaqet gjithnjë e më shumë si lojtar kyç për të ardhmen e Real Madridit.

“Progresi i Guler është i natyrshëm për një lojtar që dëshiron të luajë për Real Madridin. Ka shumë cilësi, ka punuar fort dhe nuk e ka humbur vetëbesimin. Është e qartë që Guler i shtatorit nuk është i njëjti me atë të sotmin, ai ka ndryshuar shumë”.

“Gjithashtu profili i tij fizik ka ndryshuar, tani është shumë më i fortë dhe ruan të njëjtën cilësi teknike. Ka qenë një progres normal dhe i natyrshëm për një lojtar të ri në Real Madrid”, përfundoi Ancelotti.

Share This