
Analistët thonë se 2 taborët duhet të gjejnë kompromis për kryekuvendarin
Për të pestën herë brenda 9 ditësh, deputetët e legjislaturës së nëntë pritet që të mërkurën të rikthehen në sallë, në përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit.
Në seancën e fundit të mbajtur të hënën, ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se nuk i kanë numrat e nevojshëm.
Por njohësit e çështjeve politike nuk e shohin as vazhdimin e seancës së nesërme si mundësi për konstituimin e Kuvendit.
“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion që situata mund të prëmirësohet dhe nesër mund të kemi ndonjë lajm pozitiv, palët janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk ka shenja se mund të ketë ndonjë ndryshim, qoftë nga VV për ta ndryshuar emrin e kandidatës Haxhiu ose nga partitë opozitare për ta bërë lëshimin dhe për t?i siguruar katër vota e domosdoshme”, ka thënë analisti Artan Muhaxhiri.
“Vetë fakti që opozita nga pozicioni që nuk do votojmë fare për kryeparlamentarin e VV, ka lëvizur një hap para dhe ka thënë do votojmë por duam emër tjetër është një hap, tash e ka radhën Lëvizja Vetëvendosje të bëj hapin e duhur, të propozoj një apo dy apo tre emra konsesual”, ka thënë analistja Besa Luzha.
Megjithatë, dalja nga kjo situatë nuk është e pamundur.
“Natyrisht se mund të ketë dalje nga kjo bllokadë nëse ka vetëm pak vullnet edhe dëshirë nga palët. Ose mund të propozohet dikush tjetër, ose zotri Kurti mund të ofroj ndonjë kompromis të ndonjë formati tjetër. Mund të bëhet nëse ka energji pozitive nga palët por aktualisht nuk ka dhe duket se kështu mund të vazhdoj pafundësisht”, ka thënë Muhaxhiri.
“Ne kështu mund të vazhdojmë pafundësisht, çdo 48 orë mund të mblidhet Kuvendi, le të mbetet në gjykimin e njerëzve që mosaftësia për marrëveshje politike është e të dy palëve, sepse për marrëveshje të dy palët e kanë obligim të mbëjnë maksimumin për një marrëveshje për të zhbllokuar këtë ngerç institucional”, ka thënë Luzha.
Deri më tani nuk ka sinjale për ndonjë marrëveshje të mundshme mes subjekteve politike.