
Analistët politikë paralajmërojnë qeverisje të përkohshme
Teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përpunon ende rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, njohësit e politikës vlerësojnë se krijimi i qeverisë do të jetë sfidë institucionale.
Rezultati, sipas tyre nuk garanton qeveri stabile, duke lënë hapësirë për një ekzekutiv të përkohshëm. Ndërkaq për të shmangur zgjedhje të reja, çështja e presidentit duhet të adresohet qysh tani.
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se me rezultatin aktual asnjëra palë nuk do të mund të krijojë qeveri stabile, por sipas tij, do të kemi qeverisje të përkohshme.
“Mundësitë janë që edhe koalicioni qeverisës edhe koalicioni i mundshëm i partive opozitare, të bëjnë një qeverisje e cila mund të jetë ,mendoj unë jo, shumë stabile dhe jo shumë afatgjate. Nëse nuk mund të realizojë përpjekjen e parë, partia fituese apo koalicioni fitues, sepse partia ose koalicioni thotë ligji, nëse nuk mund ta formojnë qeverinë, atëherë jepet mundësia nga presidentja e vendit që të mandatohet një parti ose koalicion tjetër”, tha Baraliu.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se për t’i ikur një procesi të ri zgjedhor, është e nevojshme që tani të adresohet edhe çështja e presidentit.
“Unë besoj që subjektet politike, nuk duhet të sillen me papërgjegjshmëri sikurse nuk e dinë që do të kemi menjëherë çështjen e presidentit. Besoj që cilido koalicion që do të arrihet për të qeverisur me vendin, duhet medoemos të adresojë edhe çështjen e presidentit në mënyrë që t’i ikim një cikli të ri zgjedhor të panevojshëm”, ka thënë Cakolli në RTK.
Sipas analistëve, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të ndryshojë minimalisht, pas numërimit të votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të premten në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike, duke i hapur rrugë numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura nga diaspora. /rtk/