Allegri: Kupa e Italisë, një nga objektivat e Juventusit
Juventusi i Max Allegrit po përgatitet që të sfidojë Frosinonen në çerekfinalen e fundit të Kupës së Italisë, sfidë që është programuar që të luhet të enjten në mbrëmje në stadiumin “Allianz”.
Bardhezinjtë do të përballen me çoçarët pas suksesit të thellë ndaj Salernitanës në turin paraardhës të Kupës dhe fitores në frymën e fundit përballë të njëjtit kundërshtar në “Arechi” në kampionat.
Trajneri konfirmon në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes se do të mungojnë Chiesa dhe Rabiot, ndërsa Vlahovic dhe Cambiaso janë të gatshëm për këtë takim.
“Është një ndeshje me eliminim direkt, përballë kemi një skuadër që luan mirë dhe që nuk ka çfarë të humbasë. Kupa e Italisë është një objektiv i yni, duhet të bëjmë një ndeshje serioze, duke respektuar kundërshtarin. Mos harrojmë që fituan 4-0 në Napoli, gjithmonë bëjnë gol dhe krijojnë shumë raste. Këtu ka gjithmonë presion. Juventusi ka dominuar në Itali për 10 vite dhe ka marrë rezultate shumë të mira në Europë. Këto 2 vitet e fundit skuadra ka ndryshuar shumë, është rinuar. Por ambiciet mbeten të njëjtat, ndonëse ka edhe kundërshtarë.
400 ndeshje në krye të Juves? Jam shumë i lumtur. Është një nder i madh të kem përpara dy legjenda si Trapattoni dhe Lippi, por duhet të mendojmë të fitojmë dhe të shkojmë në gjysmëfinale. Chiesa nuk është grumbulluar. Do të mungojnë edhe Rabiot, Kean dhe De Sciglio”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.