“Allegri është ylli i Juventus”, ish-portieri: Nëse e marrin vendin e parë, Inter nuk i “kap më”
Juventus është shndërruar në konkurrentin më të fortë për Interin në Serie A.
Bardhezinjtë, edhe pse e nisën sezonin me shumë pak pritshmëri, ia kanë dalë të rivalizojnë zikaltërit dhe të renditen vetëm dy pikë pas tyre në tabelën e klasifikimit.
“Oreksi vjen duke ngrënë” dhe te “Zonja e Vjetër” kanë nisur të ëndërrojnë titullin që mungon prej sezonit 2019/2020.
Ish-portieri i torinezëve, Rubinho, shprehet se arma e vërtetë e Juventus është trajneri Massimiliano Allegri, pavarësisht kritikave të shumta në adresë të livornezit. Ndër të tjera, Rubinho theksoi me bindje se nëse Juventus ia del të parakalojë Interin në renditje, atëherë zikaltërit nuk do t’i kapnin më bardhezinjtë.
“Allegri është ylli i vërtetë i Juventusit, është “arma” sekrete e bardhezinjve. Jam trajnuar nga Allegri dhe e di mirë se sa ndikim ka ai në skuadër. Po flasim për një trajner të shkëlqyeshëm që thjesht donte pak kohë sa të rikthente ekipin në linjë. Ka pasur më shumë kohë në dispozicion këtë sezon edhe sepse Juventus pa impenjimet europiane luan një herë në javë. Allegri po ia del me sukses.
Titulli? Kur luan për një klub si Juventusi duhet të synosh gjithnjë për maksimumin. Inter është favorite, por duhet të kenë kujdes. Allegri kur del në krye nuk kapet më, këtë e them nga eksperienca. Nëse Juve parakalon Interin atëherë do të argëtohemi vërtet”, u shpreh Rubinho.