Aliu: Po avancojnë punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në shoqëri të zëvendësministrit, Hysen Durmishi, ka vizituar punimet në aksin rrugor Prishtinë-Podujevë, teksa ka thënë se punimet po vijojnë me intensitet të shtuar.
“Po avancojnë punimet në një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Tani që është rritur fluksi i qarkullimit të automjeteve në sezonën e verës, punimet për ndërtimin e aksit rrugor Prishtinë-Podujevë, po vijojnë me intensitet të shtuar, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve e për të rritur sigurinë rrugore”, ka shkruar Aliu në Facebook, raporton rtk.
Gjatë ditëve të fundit ka filluar asfaltimi i disa segmenteve të kësaj rruge, e cila tash e disa muaj është tejet e ngarkuar për qarkullim si pasojë e punimeve.