Aliti e vendos ndeshjen me autogol, Dresheviq fiton përballjen me Zenelin
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Ibrahim Dresheviq ka kompletuar ndeshjen në qendër të mbrojtjes te Karagumruku që mori fitore të madhe ndaj Adana Demirsporit.
Të hënën mbrëma në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Turqisë, Karagumruku fitoi 2:0. Prej minutës së 84-t për Karagumrukun luajti Frederic Veseli.
Ndërkohë Arbër Zeneli u paraqit prej fillimit të pjesës së dytë për Adana Demirsporin.
Nazim Sangare shënoi për 1:0 në minutën e 52-të, ndërsa Serdard Dursun shënoi golin e dytë në minutën e 89-të.
Karagumruku është i 13-ti me nëntë pikë. Adana është e treta me 17 pikë, raporton lajmi.
Ndërkohë, Fidan Aliti e ka vendosur ndeshjen mes Trabzonsporit dhe Alanyasporit. Trabzonspori fitoi 1:0, falë autogolit të mbrojtësit të Kosovës.
Aliti në minutën e 54-t në tentim për ta larguar topin, e dërgoi atë në portën e vet. Ndeshja i takoi xhiros së nëntë të Superligës së Turqisë dhe u zhvillua të hënën mbrëma.
Fidan Aliti startoi tek Alanyaspori dhe kompletoi ndeshjen. Për këtë skuadër prej minutës së 81-të luajti edhe Florent Hadërgjonaj.
Enis Bardhi luajti deri në minutën e 84-t për Trabzonsporin. Alanyaspori mban vendin e 11-të me dhjetë pikë. Trabzonspori është i pesti me 15 pikë.