Ali Ahmeti: Ligji për gjuhët është sanksionuar nga Kushtetuta

Ali Ahmeti: Ligji për gjuhët është sanksionuar nga Kushtetuta

Në Prishtinë ka qëndruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai foli për dy çështje: ligjin për gjuhët që është bërë temë kryesore atje, por edhe për vartësin e tij, Artan Grubin.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të reflektojë, pasi sipas tij, ligji për gjuhët është i sanksionuar me kushtetutë.

“Mua më ka dëshpëruar dhe kam dashur të besoj që kryeministri i Kosovës ka qenë i keq informuar nga politikanët në Maqedoni, lidhur me gjuhën zyrtare shqipe, ajo është zyrtare dhe e sanksionuar me Kushtetutë dhe me marrëveshjen paqësore të Ohrit, është njëra nga shtyllat kryesore të marrëveshjes”, tha ai.

Ahmeti u pyet edhe për ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, me ç`rast shtoi se ky i fundit do t’i dorëzohet drejtësisë, atëherë kur t’i marrë garancitë se procesi ligjor që lidhet me të do të jetë i drejtë.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është larguar nga Maqedonia e Veriut më 15 dhjetor dhe autoritetet ende nuk bëjnë të ditur nëse kanë informacione se ku ndodhet. Ai është i dyshuari i dytë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore. Grubi bashkë me gjykatësin e apelit Enver Bexheti janë futur në listën e zezë amerikane. /RTK/

Share This